Më datë 30.12.2025, në Fakultetin e Studimeve Islame u mbajt ceremonia solemne e shpërndarjes së diplomave për studentët e diplomuar të nivelit bachelor dhe master. Në këtë ceremoni u diplomuan gjithsej 76 studentë, prej tyre 39 në nivelin bachelor dhe 37 në nivelin master.
Me këtë rast, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, prof. dr. Islam Hasani, përgëzoi studentët e diplomuar për përkushtimin dhe suksesin e treguar gjatë studimeve, duke iu uruar atyre shëndet, fat dhe suksese në rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik. Ai, gjatë fjalimit të tij, gjithashtu i njohu studentët e diplomuar për hapjen e studimeve të doktoratës në këtë Fakultet, duke i inkurajuar studentët që të vazhdojnë avancimin e tyre shkencor dhe akademik.
Në emër të studentëve të diplomuar, një fjalë rasti mbajti studenti i nivelit master, Nexhmi Hoxha, i cili shprehu mirënjohjen e tij dhe të gjithë studentëve për Fakultetin e Studimeve Islame, duke falënderuar stafin akademik dhe institucionin për mundësinë e dhënë dhe për pajisjen me dituri dhe formim profesional.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, duke shënuar një moment të rëndësishëm në jetën akademike të studentëve dhe të vetë institucionit.
Prishtinë, 31.12.2025











































